2024/11/29 - 7:10
Është mbajtur Konsultimi Publik i Planit të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara në Komunën e Gjilanit.
U. d. i drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Hekuran Rapuca, i ka dhënë mbështetje këtij plani dhe kësaj kategorie.
Kryesuesja e Grupit Punues, Salihe Aliu, paraqiti Planin e Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar.
“Kjo kategori në Komunën e Gjilanit, vazhdojnë të mbeten grupe të cilat kanë vështirësi të integrohen dhe të pranohen në mënyrë të barabartë, ndonëse ligjet në fuqi garantojnë të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Aliu.
Sipas saj individët me aftësi të kufizuar, kanë vështirësi në qasje infrastrukturore, në edukim, shëndetësi, mirëqenie sociale dhe aktivitete kulturore.
Kryesuesja e Grupit Punues, tha se bazuar në nevojat, kërkesat e grupeve të organizatave që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuar, është hartuar Strategjia Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar.
Ajo shtoi se kjo strategji ka paraparë edhe krijimin e planeve komunale për aftësinë e kufizuar.
“Komuna e Gjilanit, ka bërë përpjekje të vazhdueshme që personat me aftësi të kufizuar t’i përfshijë, duke promovuar potencialin e tyre dhe duke ofruar mbështetje përmes projekteve”, tha Salihe Aliu.
Më tej ajo tregoi se plani në fjalë parasheh 4 objektivat sipas fushave: përmirësimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale për personat me aftësi të kufizuar, përmirësimi i qasjes fizike në objektet publike për personat me aftësi të kufizuar, përmirësimi i kushteve në institucionet edukativo-arsimore për gjithë përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuar, përmirësimi i mirëqenies së personave me aftësi të kufizuar.
Pjesëmarrës në takim ishin udhëheqës dhe përfaqësues të institucioneve, anëtarë të grupit punues, organizata që ushtrojnë veprimtarinë për personat me aftësi të kufizuar dhe qytetarë të komunës.
Shoqata Down Syndrome Kosova, ka lehtësuar dhe mbështetur procesin e hartimit të këtij plani, i cili synon të përmirësojë cilësinë e jetës dhe të sigurojë përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në jetën e komunitetit.
Aktivitetet e Planit të Veprimit, janë mbështetur financiarisht nga European Union in Kosovo në partneritet me UNICEF-in.