Republika e Kosoves

Gjilan

Program festiv për nder të 17 shkurtit nga Asambleja e Fëmijëve në Gjilan dhe Zyra për të Drejtat e Njeriut

2025/02/18 - 5:14

Asambleja e Fëmijëve në Gjilan dhe Zyra për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitetet, e cila është në kuadër të Zyrës së Kryetarit të Komunës, Alban Hysenit, kanë mbajtur program festiv për fëmijë, për nder të 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Drejtori i Arsimit Shpend Nuhiu, tha se janë mbledhur për të shënuar njërën nga ditët më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – ditën e 17 Shkurtit, ditën kur Kosova u bë e lirë, e pavarur dhe krenare për sakrificën e brezave të tërë që, punuan, luftuan, sakrifikuan e dhanë jetën për këtë ditë.
Sipas tij në këtë përvjetor të pavarësisë, nderimi dhe mirënjohja jonë më e thellë shkon për ata që me sakrificën e tyre sublime na sollën deri këtu – për dëshmorët, heronjtë, dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Kujtimi për ta është i gjallë në çdo hap të jetës sonë dhe do të një shembull për brezat që do të vijnë. Por liria dhe pavarësia nuk janë dhuratë. Ato janë rezultat i punës së përbashkët, i rezistencës dhe i përkushtimit ndaj idealeve më të larta kombëtare”, tha Nuhiu.
Drejtori për Arsim, shtoi se ndërsa kujtojmë të kaluarën tonë të lavdishme, duhet të fokusohemi në ndërtimin e një të ardhmeje të denjë për nderë të atyre që nuk janë më.
“Andaj, ne duhet të vazhdojmë të punojmë, të mësojmë dhe të kontribuojmë për një Kosovë që i përgjigjet aspiratave të të gjithë qytetarëve të saj. Le të mbajmë gjallë idealet e dëshmorëve duke investuar në arsim dhe duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes të rinjve, që brezat e ardhshëm ta gjejnë Kosovën më të fortë, më të drejtë dhe më të begatë. Gëzuar pavarësinë, dhe qoftë e përjetshme Kosova jonë”, tha drejtori Nuhiu.
Udhëheqësi i Njësisë për të Drejtat e Njeriut, Ardian Foniqi, tha se së bashku me drejtorin e Arsimit, Shpend Nuhiun, Asamblenë Komunale të Fëmijëve dhe të gjithë të pranishmit, festuam me krenari 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Kjo ditë e shënuar është dëshmi e sakrificës dhe përkushtimit të popullit tonë për liri dhe shtetndërtim”, tha Foniqi.
Sipas tij falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të dëshmorëve tanë, sot gëzojmë një shtet të lirë dhe sovran. Sakrifica e tyre është themeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen tonë, me përgjegjësi dhe përkushtim.
Ai shtoi se një falënderim i veçantë shkon për fëmijët, nxënësit, prindërit dhe profesorët që morën pjesë dhe e bënë këtë festë edhe më të bukur. Entuziazmi dhe dashuria e tyre për vendin janë shpresa jonë për një të ardhme më të ndritur. Gëzuar Pavarësinë.