Republika e Kosoves

Gjilan

Në Gjilan ekziston Universiteti Publik “Kadri Zeka”, i themeluar në vitin 2013. Universiteti ka 4 fakultete: Fakultetin e Edukimit, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin Juridik dhe  Fakultetin e Shkencave Kompjuterike.

Universiteti “Kadri Zeka” Gjilan u themelua me vendimin e Qeverisë së Kosovës numër 118/03 të datës 6 mars 2013, i cili nga Kuvendi i Kosovës u miratua më 30 maj 2013, me idenë e promovimit dhe zhvillimit të arsimit të lartë universitar, kërkimeve shkencore, krijimtarisë artistike, kualifikimit të kuadrove deri në gradën e doktoratës. Themelimi i UKZ-së bëri të mundur përfshirjen e numrit më të madh të studentëve të rajonit të Gjilanit, të Luginës së Preshevës dhe të viseve të tjera në shkollimin e lartë universitar.

UKZ vazhdon traditën e mëhershme universitare në Gjilan. Përgatitja e mësimdhënësve ka filluar në gjysmën e dytë të viteve ‘50 të shekullit XX (1958), në nivel të shkollave të larta. Fillimisht është themeluar si Akademi Pedagogjike, me vendimin të Kuvendit Komunal të Gjilanit, më 18 shtator 1973, ndërsa punën e ka filluar më 25 dhjetor 1975. Prej vitit 1978 Akademia Pedagogjike e Gjilanit u shndërrua në Qendër për Arsimin e Lartë të Mësimdhënësve, ndërsa nga viti akademik 1978/79 filloi punën edhe grupi i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe grupi Matematikë-Fizikë, i cili pushoi së punuari në vitin shkollor 1983/84.

Në vitin shkollor 1980/81, Qendra për Arsimin e Lartë të Mësimdhënësve u transformua në Shkollë të Lartë Pedagogjike “Skënderbeu”, në të cilën kanë funksionuar dy grupe mësimore:

Në vitin 2001, Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi planet mësimore, të mbështetura në Deklaratën e Bolonjës për nivelin Baçelor. Pas themelimit të Fakultetit të Edukimit, nga viti akademik 2002/2003, nuk janë regjistruar studentë në programet e SHLP-së.

Me vendimin nr. 33/01, të datës 7.5.2003, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vendosi që Fakulteti i Edukimit, me qendrat rajonale në: Prishtinë, Gjakovë, Prizren dhe Gjilan, i themeluar me Vendimin Administrativ të datës 9 shtator 2002, nga viti akademik 2003/2004, të fillojë, të zhvillojë e të zbatojë programin mësimor për përgatitjen e mësimdhënësve të ciklit të mesëm të ulët – mësimdhënës lëndorë.

Në shtator të vitit 2004, Senati i UP-së, me propozimin e Bordit të Përbashkët Drejtues, miratoi planet mësimore edhe për Qendrën e Fakultetit të Edukimit në Gjilan.

Themelimi i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, institucionin më të vjetër, Fakultetin e Edukimit, e gjeti më të konsoliduar në krahasim me të tjerët. Kështu, me vendimin e Këshillit Themelues të UKZ-së, të datës 31.10.2013, Qendra e Fakultetit të Edukimit në Gjilan, shndërrohet në Fakultet të Edukimit në kuadër të Universitetit “Kadri Zeka”.

Rektor i UP “Kadri Zeka” është dr Bajram Kosumi.

Për më shumë të dhëna, kliko në këtë link: https://www.uni-gjilan.net/.