Republika e Kosoves

Gjilan

Drejtoresha Hasani premton mbështetje për personat me sindromën Down

2024/03/22 - 10:35

Në Ditën Botërore të Sindromës Down, drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit Doruntina Hasani, ka vizituar pasditën e enjte Qendrën e Down Syndrome Kosova, dega në Gjilan.

Ajo u premtoi mbështetjen e komunës për personat me sindromën Down.

“Vizituam Qendrën e Down Syndrome Kosova, dega në Gjilan, duke u zotuar të vazhdojmë me punën dhe aktivitetet tona, me qëllim të thellimit të mbështetjes dhe përkushtimit institucional që çdo individ të vlerësohet, përkrahet dhe të arrij potencialin e tij të plotë”, tha Hasani.

Drejtoreshe e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shtoi se pranvera s’kishte si të nisej më mirë! Më tej ajo tha se, për të përçuar më tej mesazhin, dashurinë dhe pozitivitetin e këtyre fëmijëve, do të përkujdesemi të shpërndajmë tek bashkëpunëtorët tanë 100 (një qind) kartolinat e punuara nga të diagnostikuarit me sindromën Down – të cilat sot i pranuam në emër të kryetarit Alban Hyseni.

“Adresojmë sfidat e punojmë bashkarisht, në realizimin e vizionit tonë për një shoqëri të barabartë në të cilën respektohen të drejtat e njeriut njësoj dhe pa dallim”, tha drejtoresha Doruntina Hasani.