2024/11/01 - 3:57
Drejtoria për Zhvillim Ekonomik e Komunës së Gjilanit, ka mbajtur dëgjimin publik mbi Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik Lokal 2024-2031.
Enver Shabani, drejtor për Zhvillim Ekonomik, tha se ky dokument ambicioz përcakton drejtimet kryesore për zhvillimin ekonomik të komunës sonë për vitet në vijim.
“Pjesëmarrja në punëtoritë për hartimin e kësaj strategjie ishte shumë e rëndësishme, për të siguruar që zëri përfaqësuesve nga fusha të ndryshme të dëgjohet dhe të kontribuoi në formësimin e një strategjie të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik të qytetit tonë”, tha Shabani.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik, shtoi se me hartimin e kësaj strategjie po shënojnë një hapë vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm komunal.
“Strategjia e Zhvillimit Lokal, është një dokument themelor për rritjen ekonomike dhe zhvillimin afatgjatë të komunës sonë”, tha drejtori Shabani.
Ai shtoi se ky dokument synon të adresojë sfidat kryesore që janë, të krijojë mundësi të reja për investime dhe të sigurojë mirëqenie për të gjithë qytetarët e komunës.
Fadil Osmani, zyrtar nga DZHE-ja bëri prezantimin dhe analizën e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal 2024-2031.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ata nga Agjencia Zhvillimore Rajonale Lindje e të tjerë, kanë dhënë idetë, sugjerimet dhe shqetësimet e tyre gjatë punëtorive të mbajtura më parë.