Republika e Kosoves

Gjilan

Mbahet takimi i Bordit të AZHR Lindje

2024/03/22 - 9:46

Bordi i Agjencisë për Zhvillim Rajonal –  Lindje, ka mbajtur takimin e rregullt.

Në emër të kryesuesit të Bordit të Agjencisë për Zhvillim Rajonal – Lindje, njëherit kyetarit të Komunës së Gjilanit,  Alban Hyseni, nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku ka falënderuar  të gjithë pjesëmarrësit.

“Ky takim ka një rëndësi të jashtëzakonshme për avansimin dhe koordinimin e politikave zhvillimore lokale dhe aktiviteteve për arritjen e objektivave të përbashkëta për zhvillim të balansuar rajonal”, tha nënkryetarja e Gjilanit.

Drejtori ekzekutiv i AZhR Lindje, Agim Zeka prezantoi raportin e punës për vitin 2023, rezultatet e arritura si dhe planin e punës për vitin 2024.

Në këtë takim me vota unanime është miratuar raporti i punës së AZHR Lindje për vitin 2023 si dhe plani i punës për vitin 2024.

Besim Kamberaj, sekretar i  Ministrisë së Zhvillimit Rajonal informoi Bordin e AZHR Lindje në lidhje me kornizën ligjore për zhvillim rajonal të balansuar duke e vënë në fokus ri-strukturimin e rajonave zhvillimore me ç’rast bazuar në ASK dhe NUTS 3 në Kosovë do të ekzistojnë 7 rajone zhvillimore.

Konkluzion nga takimi është se AZHR Lindje ka lënë pas një vit të suksesshëm dhe se viti që ka filluar do të jetë po aq i suksesshëm duke u bazuar në performancën e lartë të AZHR Lindje.

Pjesëmarrës ishin edhe sekretari i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj, kryetari i Vitisë Sokol Haliti, ai i Parteshit Dragan Petkoviç, zv. kryetari i Kllokotit Hasan Zeneli, zv. kryetarja e Kamenicës Aleksandra Jovanoviç e  përfaqësues nga Komuna e Ferizajit dhe Ranillugut.