Republika e Kosoves

Gjilan

Përlepnica kremton ditën e shkollës

2013/04/25 - 12:00

Përlepnica ka kremtuar të enjten 68-vjetorin e shkollës së fshatit, me ç`rast është  promovuar edhe monografia e këtij institucioni arsimor për periudhën 1942 – 2012. Drejtoresha e shkollës, Sheribane Mehmeti, tha se nga kjo shkollë dolën kuadro të reja e të njohura për botën shqiptare, në aspektin intelektual, kombëtar, shoqëror e kulturor. “Këtë vit jubilar po e shënojmë me botimin e monografisë për punën e deritashme të shkollës sonë, ku janë prezantuar të gjitha sukseset e shkollës nëpër vite”, ka thënë Mehmeti. Shkolla e Përlepnicës ka filluar punën më 25 tetor 1945, me 48 nxënës të moshave të ndryshme, të bartur nga shkolla e Kmetocit, ku kanë mësuar dy vite më parë, pasi që objekti në Përlepnicë ishte në gjendje të rëndë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht shkolla ka punuar në mejtepin afër xhamisë së fshatit, me mësues të parë Ferid Berishën.

Aktivitetet e shënimit të ditës së shkollës “Skënderbeu” në Përlepnicë janë përmbyllur me ekspozitën e fotografive të vitit 1999, ku shihen mjaft mirë shtëpitë e djegura gjatë luftës si dhe dëmet tjera të shkaktuara nga regjimi serb.