2024/11/06 - 10:03
Është vënë gurthemeli për ndërtimin e Ambulantës së Mjekësisë Familjare në fshatin Uglar, e cila pos që do të ofroj shërbime cilësore për banorët e këtij lokaliteti, do të ketë edhe infrastrukturë moderne.
Në këtë ngjarje ishin edhe disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Gjilani, ata nga Kuvendi Komunal në Gjilan, drejtorë, zyrtarë të tjerë komunalë e shëndetësorë dhe përfaqësuesit e fshatit.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se ndërtimi i Ambulantës së Mjekësisë Familjare në Uglar po bëhet me qëllim për t`i përmbushur nevojat e banorëve të këtij lokaliteti me shërbime mjekësore.
Ai shpreson se punët do të kryhen mirë dhe shpejt.
“Së bashku me deputetë, asamblistë dhe drejtorë, vumë gurthemelin e AMF-së në Uglar”, tha Hyseni.
Sipas tij, infrastruktura e re dhe moderne, me një hapësirë prej 180 metrash katrorë dhe një vlerë prej rreth 130,000 euro, do të ofrojë shërbime cilësore dhe lehtësisht të qasshme për banorët.
“Java e shëndetësisë sapo ka filluar, na presin edhe shumë lajme të reja deri të premten”, tha kryetari i Komunës së Gjilanit. Alban Hyseni.