Republika e Kosoves

Gjilan

Zonat Ekonomike

Ekziston një shtrirje e gjerë pajtimi se hapësirat dhe objektet e përshtatshme fizike (vende apo ndërtesa me infrastrukturë të qëndrueshme) në një ambient të kontrolluar dhe menaxhuar mirë, në një lokacion të përshtatshëm, janë një element shumë i rëndësishëm në çdo program për zhvillim të ndërmarrjeve të një vendi.

Ndërmarrje të llojeve të ndryshme kërkojnë hapësirë me karakteristika të ndryshme dhe në lokacione të ndryshme. Pra, koncepti i hapësirave të punës, përkujdeset për lloje të ndryshme për ushtrimin e veprimtarive të ndërmarrjeve dhe përfshinë në vete: Inkubatorë të Biznesit, Zona Industriale, Parqe Industriale – Biznesi, Park Teknologjik, Zonë Industriale, Zonë Ekonomike dhe të ngjashme.

Sipas Ligjit të Zonave ekonomike 03/L-129, përkufizimi “Zonë ekonomike” nënkupton një zone gjeografike në kuadër të territorit shtetëror, që ka një status të veçantë ekonomik, e krijuar për qëllime të promovimit, zhvillimit të bizneseve.

Krijimi i zonave ekonomike në Republikën e Kosovës ka për qëllim:

1. nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në Kosovë duke iu ofruar investitorëve
infrastrukturë të përshtatshme për zhvillim të veprimtarive;

2. të ndihmojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në Kosovë, veçanërisht në sektorin privat;

3. hapjen e vendeve te reja te punës dhe krijimin e të ardhurave

4. tërheqjen e teknologjive të përparuara;

5. përqendrimin e bizneseve në një vend të caktuar;

6. zgjerimin e bashkëpunimit mes bizneseve;

7. krijimin e kushteve për biznese për qasje më të lehtë në lidhje, transport, furnizimi me energji, ujë dhe shërbime në mbështetje të biznesit;

8. rritjen e konkurrencës në biznesin vendor (marrë nga MTI)

Zonat Ekonomike në Gjilan:

Komuna e Gjilanit, ka filluar procesin e hulumtimit të mundësive për të krijuar disa zona ekonomike, veçanërisht pas themelimit të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik.
Aktualisht po punohet për licencimin e zonës ekonomike rajonale në fshatin Llabjan të Novobërdës, një zonë me mbi 70 hektarë sipërfaqe, e cila do të jetë zonë ekonomike për rajonin e Gjilanit. Po punohet intensivisht nga DZHE, edhe për gjetjen e hapësirave të pështatshme për krijimin edhe të dy zonave tjera ekonomike lokale në komunën e Gjilanit.

Inkubatori i Biznesit Gjilan

Qëllimi kryesor i inkubatorit, është që të mbështesë bizneset e reja, të cilat tregojnë potencial për të qëndruar mirë financiarisht pasi që të dalin nga inkubatori, zakonisht pas një periudhe 3-vjeçare.

Inkubatori i Biznesit (IB) është një objekt i cili ofron hapësirë me çmim të ulët në drejtim të mbështetjes së bizneseve dhe zhvillimit të shërbimeve për bizneset e reja të themeluara dhe ato në zhvillim për një kohë të caktuar. Të sigurojnë një asistencë administrative, shërbime përkrahëse teknike. Ato gjithashtu ofrojnë shërbime të përbashkëta në ndërmarrësi, qasje në pajisje teknike, qira të përshtatshme dhe hapësirë të shfrytëzueshme- të gjitha nën një kulm.

Shërbimet që ofrohen nga Inkubatori janë:

Hapësira të gatshme dhe komode për akomodim
Periudha fleksibile të qirasë
Qira e shkallëzuar
Qasje e lehtë dhe hapësirë për parkim
Siguri e plotë
Qasje në rrymë, ujë, telefoni dhe internet.

Lokacioni i objektit i cili është i destinuar për Inkubator te Biznesit në Gjilan, gjendet brenda qytetit. Ky Inkubator është i përcjellur me një infrastrukturë të kompletuar, si: ujësjellës, kyçje në rrjetin elektrik dhe PTT, kanalizim, parking të përshtatshëm, qasja e lehtë në rrugë etj. Hapësira e ndarë për Inkubator mbulon një sipërfaqe prej 1000m2 . Inkubatori i Biznesit ka një potencial prej 16 hapësirave punuese, ndër to është:

• Zyra e Menaxherit
• Salla e trajnimeve
• 12 biznese te vendosura.