NJËSIA PËR PARTNERITET PUBLIKO-PRIVAT
Infrastruktura dhe shërbimet moderne e efikase, janë një ndër parakushtet e domosdoshme për rritje të suksesshme dhe të qëndrueshme ekonomike.
Kosova, siç e dimë, ka nevojë urgjente të zgjerimit dhe rritjes së efikasitetit të infrastrukturës dhe shërbimeve publike, por ne jemi të vetëdijshëm ndaj resurseve të kufizuara financiare për t’i ndarë ato për këtë qëllim.
Në mënyrë që të arrijmë të ndërtojmë një infrastrukturë të qëndrueshme, si dhe të sigurohemi që ajo të ofrojë shërbime sa më efikase dhe me një kosto sa më të arsyeshme, Qeveria e Kosovës, si edhe shumë shtete tjera te botës, ka vendosur të drejtohet nga Partneritetet-Publiko-Private (PPP).
Partneritetet Publike Private janë një mjet modern i politikave që do t’i mundësoj Kosovës uljen e hendekut në mes të resurseve publike në dispozicion dhe kostos së infrastrukturës dhe shërbimeve të nevojshme. Partneritetet e tilla, siç është parë nga shembuj në vende të tjera, gjithashtu sigurojnë një shërbim shumë më efikas.
Ligji i ri mbi Partneritetet-Publike-Private, i cili është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, vendos kornizën institucionale dhe ligjore në mënyrë që të mundësohet implementimi i PPP-ve në shumë sektorë.
Dhe, përmes infuzionit të kapitalit dhe të menaxhimit privat, PPP-të mund të lehtësojnë kufizimet fiskale dhe të rrisin efikasitetin në ofrimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike. PPP-të janë instrumente mjaft komplekse të politikave zhvillimore.
PPP-ja mund t’i ofroj mundësinë për të modernizuar dhe për të zgjeruar infrastrukturën dhe shërbimet e saja publike. Me ligjin e ri mbi Partneritetin Publiko-Privat dhe me themelimin e njësisë qendrore të PPP-së në Ministrinë e Financave, korniza institucionale dhe ligjore është e vendosur në mënyrë që të lejohen ministritë, NP-të, komunat dhe organizatat e tjera buxhetore që të fillojnë me implementimin e PPP-së përgjatë shumë sektorëve.