Republika e Kosoves

Gjilan

Sporti

Gjilani njihet si qytet i sportit dhe i sportdashësve

Futbolli – Viti 1922 shënon ardhjen e topit të parë në Gjilan, nga kroati Alojza Stepinac, që mendohet të ketë qenë ushtar në Prishtinë. Më 1936 themelohet ekipi me emrin “Gajret”, i përbërë kryesisht nga lojtarë shqiptarë. Më 15 gusht 1942, në Gjilan formohet klubi “Bashkimi”, i përbërë kryesisht nga lojtarë shqiptarë, i cili veproi deri pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në fillim të vitit 1945, themelohet Klubi i futbollit “Crvena Zvezda”, petkun e së cilës, në fillim e kanë veshur shumë pak shqiptarë. Një kohë të gjatë u dominua nga udhëheqësit dhe lojtarët serbë. Kur Kosovës po i merrej autonomia, futbollistët shqiptarë i thanë “jo” garimit nën pushtetin e dhunshëm, duke iu bashkuar klubit “Drita”, i formuar vite më parë. Nga viti 1947 deri më 1952, bëri pjesë në Ligën e Dytë të Kosovës. Suksesin më të madh e pati në vitin 2000, kur u shpall fitues i Kupës dhe Superkupës së Kosovës. Në vitin 2018, Drita u shpall për herë të dytë kampion i Kosovës në futboll dhe siguroi pjesëmarrjen në garat e Ligës së Kampionëve.

Hendbolli – Hendbolli mbetet ndër sportet që më së shumti ka lënë gjurmë në Gjilan. Këtu, edhe sot kujtohen gjeneratat e arta të viteve ‘70- ’80. Në Gjilan, hendbolli zë fill në vitin 1955. Tri vite më vonë themelohet klubi i parë me emrin “Partizani”. Ky ekip, në vitin 1962 për herë të parë në historikun e hendbollit gjilanas zhvilloi ndeshje ndërkombëtare me ekipin “Taufiku” nga Egjipti. Në nismë të kampionatit 1966/67, ekipi pagëzohet me emrin “Bozhuri”, kur për hendbollistë krijohen kushte më të mira, pasi klubi gjeti mbështetjen e Industrisë së Duhanit. Në vitin 1991 pagëzohet me emrin “Drita”.

Basketbolli – Me një historik të gjatë, që nga viti 1956, basketbolli gjilanas e arriti kulmin e tij në vitet e para të pasluftës. Klubi i parë quhej “Mlladost” e më pas u emërtua “Drita”. Suksesin më të madh e arriti në vitin 1996, kur u shpall kampion i Kosovës. Në vitin 2001, për herë të parë në KB “Drita” vijnë lojtarë nga shtetet evropiane dhe arrihet të krijohet ekipi ndër më cilësorët.

Volejbolli – Volejbolli në Gjilan zënë fill si lojë në “Mëhallën e Bejlerëve”. Deri më 1960 është luajtur pa ndonjë organizim të mirëfilltë, kurse pikërisht në këtë vit, u formua ekipi i parë, që mori emrin “Partizani”. Në vitin 1972 – 1973 emërohet “Akademiku”. Ndërkohë punëtorët e Kombinatit të Tekstilit në Gjilan formojnë ekipin “Tekstilisti”. Nga bashkimi i “Tekstilistit” dhe “Akademikut” u formua “Taftisoni”, i cili më 1981–1982 shpallet kampion i Kosovës dhe me plot sukses garon në Ligën e Dytë Federative, deri para mëvetësisë së sportit kosovar, kur si shumica e ekipeve në Gjilan, ndërron emrin në KV “Drita”.

Boksi – Në trevën e Gjilanit, ndër breza janë kultivuar garat me karakter luftarak. Klubi i Boksit “Partizani” u formua në vitin 1972–1973. Më 1992, klubi pagëzohet me emrin “Drita” dhe ishte aktiv deri më 1997. Ka shënuar suksese të shumta. Gjilani është arenë e boksierëve cilësorë.

Karateja – Më 1972 formohet klubi i parë i karatesë në Gjilan “Zenel Hajdini”, i cili më vonë u riemërua “Drita”. Sukseset më të mëdha KK “Drita” i ka arritur pas luftës, duke qenë ndër ekipet më të mira në Kosovë, kurse medaljet nga arena ndërkombëtare janë të panumërta.

Në Komunën e Gjilanit zhvillohen shumë aktivitete sportive në të gjithë sektorët. Disa prej tyre janë “Vrapimi i Qytetit“, që i dedikohet pranverës studentore të vitit 1981. Turneu i boksit ”Agim Rashiti” është manifestim sportiv ndërkombëtar. Turneu në karate organizohet në bashkëpunim me KK ”Drita” dhe turne të tjerë që organizohen me klubin e karatesë ”Dardania”.

DRKS i ndihmon klubet me heqjen e kuotizimeve, në transport dhe me mjete materiale për nevoja tjera. Sipas statistikave të DKRS-së, në aktivitete sportive në komunën e Gjilanit janë të përfshirë prej 3.000 deri në 5.000 të rinj dhe të reja.

Emrat e klubeve të Gjilanit që bëjnë gara në të gjitha ligat e Kosovës:

KF Gjilani, KF Drita, KF Bashkimi, KV Drita (M), KV Drita (F), KH Drita (M), KH Drita (F), KB Drita (M), KB Drita (F), KK Drita, KK Dardania, KT Drita, KP Drita (M), KP Drita (F), KB Drita, K.Kik. Box. Drita, KJ Drita, KK Gjilani, Kfutsall. Bresalci, Kfutsall Përlepnica, KH Zhegra, KA Gjilani, KN Drita, KS Gjilani, KSH Drita, KB në Karroca.

Të gjitha këto ekipe, aktivitetin sportiv e zhvillojnë në palestrën “Bashkim Selishta – Petriti“ dhe stadiumin e qytetit.