Republika e Kosoves

Gjilan

Pozita gjeografike

Komuna e Gjilanit gjendet në pjesën juglindore të Kosovës, rajoni i Anamoravës. Është njëra nga komunat e mëdha të vendit. Pozita gjeografike që ka, i mundëson asaj lidhje të mira me qendrat tjera të Kosovës dhe të rajonit.

Rreth qytetit të Gjilanit shtrihen bregoret Kodra e Dëshmorëve (Popovica), Gllama, Dheu i Bardhë, fusha e Malishevës, Zabeli i Sahit Agës dhe Bregu i Thatë. Nëpër qytet kalojnë tre lumenj të vegjël, Mirusha, Banja dhe Stanishori, të cilët bashkohen dhe derdhen në Moravë, në perëndim të fshatit Uglar.

Gjilani është larg nga Prishtina, kryeqendra e Kosovës, 46 kilometra, nga Kamenica – 27 km, nga Vitia – 22 km, nga Artana – rreth 25 kilometra. Me komunat e regjionit kufizohet, në juglindje me Preshevën (33 km) dhe Kumanovën (53), ndërsa në lindje – me Bujanocin (40 km).

Ndërtimi i rrugës Gjilan-Lipjan, nga drejtimi i Kishna Polës, ka shkurtuar dukshëm distancat e kësaj komune me aeroportin e Prishtinës, me rrugën e kombit si dhe me hekurudhat e Kosovës, në Ferizaj dhe Lipjan. Gjilani do të lidhet së shpejti edhe me Kumanovën, nga drejtimi i Stançiqit, ku parashihet hapja e një pike doganore.

Gjilani ka kushte të mira për bujqësi dhe njihet si qytet agro-industrial. Ka klimë të mesme kontinentale, me vera të nxehta dhe dimra të ftohtë. Temperatura mesatare e janarit është -0.9 shkallë celciuz, ndërsa temperatura mesatare e korrikut – 21.5 gradë. Në vjeshtë, këtu bien shira, mesatarisht 177 mm, ndërsa në verë – 129 mm. Sasia e reshjeve në pranverë është 145 mm dhe në dimër – 130 mm.

Rrethinën e Gjilanit e përcakton lumi Morava e Binçës, i cili mbledhë gjithë lumenjtë e vegjël, me një prurje mesatare mujore prej 6.7 metra kub /sekondë/. Në juglindje rrethohet nga malet e Karadakut.

Koordinatat e shtrirjes së qytetit të Gjilanit janë 42 shkallë në veri dhe 21.20 shkallë në lindje dhe në një lartësi mbidetare prej 501 dhe 590 m ndërsa regjioni prej 475 m në Budrikë, deri në 1000 m lartësi mbidetare, në zonën kufitare me Maqedoninë (Stanqiq).

Rrethina e Gjilanit është e pasur me xehe (hekur e leucid) dhe me burime minerale (Nasalë, Pidiq, Kmetoc, Uglar, Përlepnicë).

Në hartat sizmike, Gjilani njihet si rajon me ndjeshmëri të theksuar rrezikshmërie. Në vitin 2002, është goditur nga një tërmet, i cili ka lënë një të vdekur, dhjetëra të lënduar dhe mbi 8 mijë objekte publike dhe private të dëmtuara.

Gjilani është binjakëzuar me qytetet dhe komunat Luterbah (Francë), Iper (Belgjikë), Jelderim (Turqi) dhe të tjera.