Republika e Kosoves

Gjilan

Numri i banorëve

Popullsia e Gjilanit, përherë ka qenë e përzier, por me një shumicë dominuese të shqiptarëve, si gjatë sundimit turk, ashtu edhe atij serbo-jugosllav. Sipas regjistrimit të vitit 2011, komuna e Gjilanit ka 90.178 banorë. Shqiptarë – 87.814, serbë – 624, turq – 978, boshnjakë – 121, romë – 361, ashkali – 15, goranë – 69, egjiptian – 1, të tjerë – 95. Kanë preferuar të mos përgjigjen – 35 persona.

Në qytet jetojnë 54.239 banorë, kurse në zonat rurale – 35.939.

Ndarja e popullsisë sipas gjinisë: meshkuj – 45.354, femra – 44.824.

Hapësira e komunës shtrihet në 392 km/2 dhe përbëhet prej 42 zonave kadastrale. Deri më 2010, përfshinte një territor prej 515 km/2, me 63 vendbanime, 54 zona kadastrale. Decentralizimi e ka reduktuar për 123 km/2 (12 zona kadastrale), të cilat i janë bashkuar komunës së re të Parteshit (3 zona kadastrale) dhe komunës së zgjeruar të Artanës (9 zona kadastrale).

Artanës i janë bartur zonat kadastrale: Dragancë, Koretishtë, Kufcë e Epërme, Makresh i Epërm, Makresh i Poshtëm, Mozgovë, Parallovë, Stanishor dhe Strazhë. Ndërkaq, Budriga, Parteshi dhe Pasjani përbëjnë komunën e re të Parteshit.