Republika e Kosoves

Pejë

FOLKLORI

FOLKLORI

Tradita folklorike e Rugovës është një thesar me vlera të mëdha, e cila pasuron visarin tonë kombëtar me vlera të larta të artit të vërtetë. Rugovasi shekuj me radhë e ka pasur folklorin e vet të vetmin argëtim. Nëna rugovase me këngë e vë djalin në gjumë, duke përkundur në djep,  me këngë përcjellet fejesa dhe kanagjegji, si dhe martesa e vajzave, me këngë kushtrimi kur rugovasi shkonte në luftë. Bariu i deleve nuk del në kullota pa fyell në brez. Me vargje të prekshme elegjiake e përcjell vajtorja rugovasin në rrugën e fundit të jetës së tij. Prandaj, kjo e tregon vlerën e madhe dhe të gjërë të folklorit rugovas, e cila ende kultivohet dhe ruhet brez pas brezi.

VESHJA TRADICIONALE E RUGOVËS

Rugova si një krahinë etno-gjeografike veçohet nga një varg manifestimesh të kulturës materiale dhe shpirtërore. Në kuadrin e këtyre manifestimeve s’do mend se veshja zë një vend me rëndësi. Kjo veshje me përmbajtjen e saj s’i vlerë materjale artistike, ofron mundësi për studime komperative, si në planin topologjik ashtu edhe në atë morfologjik e ornamentik, me vështrime gjithmonë të mundshme sinkronike e diakronike. Ajo është një veshje e pasur, karakteristike, me gjurmë lashtësie e krijuar me shekuj dhe e ruajtur deri me sot. Kjo veshje tradicionale karakterizohet me ngjyrat tipike ku në veshjen e burrit dominon ngjyra e bardhë dhe e zezë, ndërsa tek femrat është e kombinuar edhe me ngjyrën e kuqe.

VALLET TRADICONALE

Vallet tradicionale të Rugovës janë një margaritar i vërtetë në folklorin kombëtar në përgjithësi. Këtu ruhen vallet e vjetra në origjinalitetin e tyre të lashtë. Rugovasi edhe kur luan, kërcen e vallëzon e përkujton luftën për jetë dhe ekzistencë. Ai edhe në valle mban shpatën në dorë, pushkën apo flamurin. Janë ndër vallet e rralla dhe  më origjinalitet, që janë kultivuar dhe luhen ende në Kosovë, si dhe janë të paraqitura pothuajse në gjithë botën në festivale të ndryshme ku shprehet vallja tradicionale. Prandaj, Peja është krenare dhe gjithmonë prezanton këtë vlerë, si dhe përmes këtyre vlerave ngritet imazhi i këtij qytetit, si një vend i kulturës dhe traditës.

LOJERAT TRADICIONALE

Lojërat Tradicionale të Rugoves njihen si lojërat më karakteristike në trevat shqiptare e gjithashtu kanë vlerë të madhe edhe në Evropë. Janë lojëra të shkathtësive fizike dhe luftarake me një zanafillë shumë të vjetër. Këto lojëra tani kanë karakter kulturor tradicional dhe organizohen nga vetë banorët e Rugovës dhe mbahen gjithmonë në vikendin e parë të gushtit. Hulumtimet kanë treguar se kjo është një festë e fisit Kelmend dhe fiseve tjera, të cilat me vite të tëra janë organizuar në krahinën e Rugovës. Disiplinat që zhvillohen në këto lojëra janë: ngjitja në shilor, gurapeshi, rrëzimi i duarve, mundja, hudhja e llastarit dhe tërheqja e litarit.

USHQIMI TRADICIONAL

Tradita e vjetër e përgatitjes së ushqimeve është prezent pothuajse në çdo shtëpi, si edhe  në restorantet, që ofrojnë ushqim për vizitorët e shumtë, të cilët i kalojnë pushimet ditore apo ato të vikendit, gjë që e karakterizojnë këtë regjion si një ndër regjionet me menynë më të pasur të gastronomisë. Ushqimet më të preferuara nga menyja e gastronomisë së regjionit malor të Rugovës janë: maza e zier, leqeniku, kryelana, flia etj., të cilat punohen ende me mjeshtërinë e vjetër nga shtëpiaket në këtë trevë malore.

 

Për më shumë informata shkarkoni informatorin këtu apo në foton e informatorit: