Republika e Kosoves

Pejë

QYTETI I PEJËS

Historia, kultura, tradita, pasuritë natyrore, pozita e shtrirjes, ambienti i mbrojtur, tokat pjellore etj., janë këto elemente që e identifikojnë qytetin e Pejës si qytet turistik, i cili vizitohet gjatë tërë vitit nga vizitorët e vendeve të ndryshme. Qyteti ka një histori mjaft të vjetër dhe veçohet në Kosovë, si qytet turistik. Shënimet e ndryshme tregojnë ekzistencën e këtij qyteti në mënyrë të organizuar qysh nga kohërat ilire,  po ashtu   Peja përmendet si njëri ndër qytetet  kryesore edhe rrugë lidhëse e karvaneve të shumta tregtare, që kanë udhëtuar nga Venediku dhe Raguza (Dubrovniku i vjetër). Ta vizitosh Pejën do të thotë të shtegtosh nëpër kohëra të ndryshme, duke filluar nga kohërat ilire, bizantine, otomane, luftërat botërore e deri në ditët e sotme d.m.th. gjatë vizitave që do t’ia bëni këtij qyteti, do të hasni në gjurmë të objekteve të ndryshme historike, që kanë mbetur nga kohërat e ndryshme. Edhe pse gërmadhat janë mbuluar dhe nuk janë bërë hulumtime arkeologjike ende mund të fillohet me historinë ku qyteti i Pejës ka qenë i shtrirë në periudhat ilire ( ndërsa gurët e gjetur mund të shihen në muzeun etnografik), pastaj vizita objekteve religjioze, si xhamitë dhe kishat katolike e ortodokse, teqetë, Hamami i Haxhi Beut, Mulliri i Haxhi Zekës, kullat në Pejë të ndërtuara nga guri, shtëpitë e vjetra qytetare, kultura e veshjes dhe traditat e vjetra të banorëve, punët artizanale etj. Përveç shtegtimit kulturor, që ofron Peja ka pasuri të mëdha natyrore, e cila e rrethon në pjesën veriperëndimore dhe gjendet vetëm 1 km larg nga qendra e qytetit. Pasurinë më të madhe e përbën regjioni malor i Rugovës ku gjenden Gryka e Rugovës, Lumbardhi, liqenet në lartësi, prej 1860 m, shpellat, burimet e shumta, si dhe ujëvarat  përgjatë  grykës, pasuria e florës dhe faunës, majat malore mbi 2000 m etj., të cilat u ofrohen për shfrytëzim vizitorëve. Një nga atraksionet kryesore të qytetit të Pejës është edhe Ujëvara e Drinit  me gjatësi prej 30 m, e cila vizitohet gjatë tërë vitit nga vizitorët e shumtë vendor dhe të huaj, e cila është pjesë e sistemit të vargmaleve të Bjeshkëve të Nemuna.

 

OBJEKTET KULTURO – HISTORIKE

Në qytetin e Pejës dhe rrethinës gjendet një numër i madh i objekteve kulturo-historike, të cilat shprehin kulturën dhe traditën e kësaj komune, që nga kohërat ilire e deri në ditët e sotme. Ekzistojnë shumë objekte me vlera historike, siç janë: kullat e gurit, shtëpitë e vjetra, objektet  religjioze,  siç janë: xhamitë, kishat katolike dhe ortodokse, teqetë, pastaj hamami i Haxhi Beut, mulliri i Haxhi Zekës, kompleksi i Çarshisë së Vjetër, si dhe objekte të tjera që qytetit të Pejës i japin një histori të vjetër të zhvillimit në periudha të ndryshme kohore. Janë të gjitha këto objekte që karakterizohen me ndërtime  arkitektonike nga mjeshtërit e kohërave të vjetra, të cilët  kanë punuar ndërtime nga guri dhe druri. Prandaj, është e pashmangshme që të vizitohet qyteti i Pejës e të mos kalohet nëpër pika interesante, që të dërgojnë në kohëra të ndryshme.

 

 

 

 

KULTURA DHE TRADITA

Zhvillimi i hershëm i këtij qyteti ka ndikuar edhe në zhvillimin e kulturës dhe traditës së vjetër, duke u bartur nëpër kohëra deri në ditët e sotme. Veshja tradicionale është njëra nga motivet, që është ruajtur në mënyrë origjinale dhe vazhdon të ruhet edhe në ditët e sotme. Karakterizohet me ngjyrat bardhë e zi tek gjinia mashkullore, ndërsa tek gjinia femërore dominon edhe ngjyra e kuqe. Është mjaft e rëndësishme të përmendet edhe ruajtja e traditës së martesave në stilin e vjetër e që ende aplikohen, rendi dhe rregulli shtëpiak dhe mënyra e sjelljes në shtëpi, vallja tradicionale, përgatitja e ushqimeve tradicionale, kultura dhe tradita tjera.

 

 

 

ARTIZANATET
Qyteti i Pejës njihet qysh nga kohërat e hershme, si qytet tregtar dhe artizanal. Artizanatet më të njohura janë: argjendaria, punimi i qelesheve, farkëtaria, saraçët etj. Pra, ka një numër të madh të artizanateve,  që janë punuar me një përkushtim të madh nga mjeshtërit, të cilët punën e tyre e kanë bartur brez pas brezi deri në ditët e sotme.

HOTELERIA DHE GASTRONOMIA

Tradita shumëvjeçare e këtij qyteti që ka pasur në lëmin e turizmit ka ndikuar që të ketë një numër të objekteve hoteliere, të cilat ofrojnë  kushte të mira për akomodim dhe relaksim. Gastronomia është po ashtu një ndër elementet kryesore, që e veçojnë këtë qytet për nga mjeshtëria dhe tradita e të përgatiturit. Mund të shijoni ushqimin tradicional, i cili ofrohet në restorantet, që gjenden në pjesët më të bukura të qytetit, ku mbretëron qetësia dhe gjelbërimi rreth jush.

 

NATYRA DHE AMBIENTI

Komuna e Pejës njihet si qytet ekologjik me më se 70% të sipërfaqes të mbuluar me gjelbërim. Është regjioni malor i Rugovës , i cili  e përbën pjesën më të madhe me gjelbërim, duke përfshirë mbi 52% të sipërfaqes dhe njëherit njihet edhe si freskia e qytetit të Pejës. Ka atraksione, bukuri dhe pasuri të shumta natyrore, duke u nisur nga Gryka piktoreske e Rugovës, lumenjtë, liqenet në lartësi prej 1860 m, burimet ujore, ujëvarat, shpellat, si dhe shumëllojshmëria e florës dhe faunës. Po ashtu, brenda qytetit, pothuajse në çdo kënd, ekzistojnë oazat e gjelbëruara, të cilat ia shtojnë bukurinë qytetit, mbajnë ajrin e freskët dhe mundësojnë relaksimin e qytetarëve.