Republika e Kosoves

Pejë

Potenciali natyror dhe ekonomik

Në zhvillimin ekonomik të Pejës rolin kryesor e luajnë aktualisht degë të tilla , si: Turizmi, tregtia, transporti, ekonomia bujqësore, zejtaria, industria ushqimore e pijeve dhe e materialit ndërtimor. Veçanërisht në qytetin e Pejës dhe qendrat turistike në Rugovë ka marrë rëndësi të veçantë zhvillimi i i ekonomisë turistike. Kjo lidhet si me traditën në këtë drejtim , poashu me rëndësinë që ka marrë turizmi pas vitit 2000. Kështu që e gjithë infrastruktura i është kushtuar zhvillimit të turizmit. Një sere ndërtimesh mjaft ambicioze, kryesisht hotele dhe restorante kanë lulëzuar vitet e fundit, sidomos përgjatë rrugës Pejë- Rugovë dhe Pejë_- Radavc.
Andaj , Peja sot renditet në qendrat më të rëndësishme ekonomike, tregtare dhe turistike të vendit. Jo vetëm qyteti i Pejës , por i gjithë rrethi në tërësi , ka luajtur historikisht një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.
Pjesën më të madhe të sipërfaqes së saj, përbën toka bujqësore e përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe pemëtarisë, e në bazë të saj edhe prodhimtarin e ushqimit të shëndosh, duke filluar nga prodhimi i qumështit dhe prodhimeve të qumështit, mishit dhe prodhimeve të mishit, deri ke prodhimi i pemëve dhe përpunimit të tyre. Përmes blegtorisë kryesisht ( gjedhët dhe dhentë ) dhe shpeztarisë, sigurohen prodhime të bollshme për tregun e brendshëm.
Gjithë këto prodhime bujqësore përbëjnë, përveç prodhimit për nevoja të popullsisë vendase , edhe një bazë të mirë për konsumin turistik duke plotësuar më së miri nevojat e tregut për prodhime të freskëta dhe natyrale.
Zejtaria në Pejë ka zënë të zhvillohet që nga koha antike dhe ajo u transformua varësisht nga shkalla e zhvillimit ekonomiko shoqëror. Në bazë të materialit arkeologjik të zbuluar në Pejë, si : fibula, unaza, gjilpëra, bylyzyku dhe helmeta prej bronzi etj. mund të konkludohet se nga kjo kohë fillon jeta e zhvilluar ekonomike dhe zanafillat e para të zejeve. Sipas regjistrimit katastral të vitit 1582 në qytetin e Pejës ushtroheshin gjithsej 56 zeje. Elementi tregtar përbënte shtresën kryesore qytetare, ku përfshinte 43% të popullsisë . Zejtaria në Pejë arriti kulmin e zhvillimit, sidomos në shekujt XVII dhe XIX.
Edhe sot simbol i këtij qyteti ka mbet tradita e zejtarisë dhe tregtisë , gjindshmërisë së tregtarëve dhe mjeshtërve të saj , e cila nuk ka penguar që Peja të zhvillohet në qytet të bukur dhe modern.