Republika e Kosoves

Ferizaj

Agim Aliu: Po merr fund odisejada e ndërtimit të Spitalit të ri në Ferizaj

2018/01/26 - 9:41

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka njoftuar për nënshkrimin e kontratës për fillimin e ndërtimit të Spitalit të ri Rajonal në Ferizaj. Megjithë zvarritjet ederitanishme, ky projekt që nga sot ka mundësinë e fillimit të realizimit. Përfundimi i këtij projekti sipas deklarimeve të ministrit Ismaili do të bëhet në afat 3 vjeçar.

Përmbyllja e këtij procesi të gjatë tenderues vjen pas shumë anulimeve të tenderëve që fillojnë me qasjen joserioze të qeverisjes së kaluar për ndërrimin e lokacionit e deri tek manipulimi me tender.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu falënderon ministrin Ismaili për procedimin e këtij projekti të rëndësisë së veçantë për Ferizajn duke i dhënë fund odisejadës së ndërtimit të këtij spitali nga qeverisja e kaluar.

“Është lajm i mirë për qytetarët e Ferizajt dhe gjithë regjionit. Ferizaj po ec me hapa të shpejt në përmbylljen e disa procedurave që ka kohë që po zvarriten. Me këtë rast po merr fund odisejada e ndërtimit të spitalit të ri. Ferizajasit kanë nevojë për shërbime më të mira shëndetësore dhe ky projekt është zgjidhja e duhur. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar përshpejtimin e realizimit të këtij projekti kaq të nevojshëm për qytetarët. Për fat të keq, qeverisja e kaluar e ka parë realizimin e këtij projekti vetëm për konsum politik, qasje joserioze me ndërrimin e lokacionit dhe manipulim me tender. Uroj qytetarët e Ferizajt dhe njëkohësisht gjithë Rajonit të Ferizajt. Me këtë rast falenderoj edhe ministrin Ismaili për procedimin e këtij projekti. Ferizaj do të jetë mirënjohës gjithëherë mbështetjes që po merr në vazhdimësi nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Neve na mbetet menaxhimi në nivel lokal i këtij projekti për të cilën i garantoj qytetarët se detyrat tona do t’i përfundojmë në kohë, me angazhim të shtuar dhe dinamizim të procedurave” – tha kryetari Aliu.