Republika e Kosoves

Ferizaj

Diskutime të shumta në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal

2018/02/01 - 1:32

 Gjatë ditës së mërkurë është mbajtur mbledhja e parë e Kuvendit Komunal, e cila u udhëhoq nga kryesuesja Kristina Gashi-Bytyqi. Ajo fillimisht ka prezantuar pikat e rendit të ditës që ishin paraparë për këtë mbledhje e më pas kanë filluar edhe diskutimet nga ana e asambleistëve.

Në këtë mbledhje, betimin e dhanë dy anëtarë të rinj të Kuvendit, ishte Zymrije Haxhimusa nga radhët e AAK-së dhe Xhafer Berisha nga Nisma për Kosovën.

Njoftimin për emërimin e drejtorëve të drejtorive komunale, e bëri numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu. Ai tha se deri tek përzgjedhja për këta drejtorë ka ardhur si rezultat i politikave të bashkëpunimit ndërsa drejtorët e rinj janë personalitete të dëshmuara.

“Në përzgjedhjen e drejtorëve, kam pasur parasysh gjetjen e kualiteteve, të cilat njëkohësisht do të përputheshin edhe me pritjet e qytetarëve të Komunës sonë. Profesionalizmi, energjia e re, kreativiteti si dhe motivimi për sendërtimin e politikave zhvillimore për komunën tonë kanë qenë kriteret e mia për emërimin e bashkëpunëtorëve të mi të parë. Jam i bindur që kjo përbërje e kabinetit tim, më shumë se për kah origjina politike e të emëruarve, do të mbahet mend për profilin qytetar të angazhimit, profil ky që do të jetë gjithnjë i gatshëm të mbështesë dallimet eventuale, në shërbim të identifikimit të ideve që na unifikojnë, drejt krijimit dhe ekzekutimit të politikave që do ta përmirësojnë cilësinë e jetës së bashkëqytetarëve tanë, në të gjitha segmentet”, është shprehur kryetari Aliu.

Ai ka vënë në dukje se përveç moshës së re të shumicës së drejtorëve të drejtorive të reja, energjisë e kreativitetit ambicioz të tyre është i bindur që inkurajon shumë edhe statusin profesionist të tyre.

‘Që të gjithë janë personalitete të dëshmuara dhe me rezultate të shquara në fushën e menaxhimit, me theks të veçantë, në fushat ku tanimë kanë marr edhe përgjegjësitë e caktuara. Një përbërje e tillë, më bën mua që me plot besim e optimizëm, të deklaroj para anëtarëve të Kuvendit të Komunës dhe para qytetarëve të Ferizajt se në mandatin qeverisës katër vjeçar do të përmbushen dhe do të tejkalohen të gjitha zotimet e dala nga platforma ime programore elektorale, për zhvillimin e mëtutjeshëm të komunës sonë”, ka deklaruar kryetari Aliu.

Gjithashtu, u mor vendim edhe për themelimin e komiteteve të përhershme siç është Komiteti për Politikë e Financa që do të përfaqësohet pothuajse nga të gjitha subjektet politike, por edhe për komunitetin për komunitetet.

Ndërkaq në komisionin për ndarjen e bursave u caktuan edhe dy anatarë të Kuvendit të Komunës të cilët janë Flora Abdullahu nga Partia Demokratike e Kosovës, si dhe Saranda Musliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Me polemika të shumta është marr vendim edhe për zgjedhjen e anëtarëve të komisionit komunal të aksionarëve në ndërrmarrjet publike si në KRM “Pastërtia, KRUK “Bifurkacioni”, N.P “Stacioni i autobusëve” si dhe në ndërrmarrjen publike “Ambienti”

Pa zhurmë nuk kaloi as pika e propozuar nga drejtori i Drejtorisë së Urbanzimit Lulzim Aliu, e i cili ishte propozim- vendimi për fillimin e procedurave për rishikimin e PZHK-së, përkatësisht rishikimi i destinimeve të pronave publike dhe pronave private që janë të destinuara për qëllime publike në PZHK të miratuar më 21.09.2017 në Kuvendin Komunal të Ferizajt si dhe përmirësimin e gabimeve teknike në pjesën tekstuale, hartografike dhe digjitale me qëllim të harmonizimit të tyre. Për këtë plan reagoi partia opzitare LDK në Ferizaj, duke e quajtur këtë si një vendim për rishikim si i pa bazë.

Kjo pikë e rendit të ditës pas diskutimeve të shumta u votua pro nga 29 anëtarë të Kuvendit Komunal.

Në këtë mbledhje u mor vendim edhe për caktimin e orarit të mbledhjeve të Kuvendit Komunal për vitin 2018, si dhe u formua komisioni nga radhët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për hartimin e Planit të punës të Kuvendit.