Republika e Kosoves

Ferizaj

Kryetari Aliu, ka vizituar zonat e vërshuara në fshatrat Tërrn, Lubovc, Babush, Bablak, Koshare

2018/03/04 - 8:02

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Arben Halili dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, në orët e mbrëmjes kanë vizituar zonat e vërshuara në fshatrat Tërrn, Lubovc, Babush, Bablak, Koshare.

Reshjet e dendura të shiut ditëve të fundit dhe shkrirja e borës kanë shkaktuar vërshime në këto fshatra. Gjithashtu, si pasojë e kësaj situate edhe në fshatin Greme, në vendin e quajtur Vrella ka pasur rrëshqitje dheu, me ç’rast është vendosur shiriti sinjalizues i sigurisë.

Ekipi i emergjencës civile, i kryesuar nga Ismajl Mehmeti – udhëheqës i sektorit, janë prezent në zonat e vërshuara dhe situata është në kontrollin e plotë të autoriteteve.

Ditëve të ardhshme do të hartohet dhe publikohet një raport për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe plani afatmesëm dhe afatgjatë i masave dhe ndërhyrjeve që duhet të bëhen për parandalimin e vërshimeve në këtë zonë.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu njoftoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe siguroi banorët e zonës se institucioni i komunës do t’i gjendet pranë në realizimin e kërkesave të tyre për tejkalimin e kësaj situate.