Republika e Kosoves

Ferizaj

Kuvendi i Komunës së Ferizajt, ka diskutuar gjerë e gjatë për shumë çështje të rëndësishme

2020/11/23 - 6:54

Këtë të hënë është mbajtur mbledhja e nëntë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Ferizajt. Në këtë mbledhje morën pjesë Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyçi, nënkryetari i komunës Arton Gavazi si dhe drejtoret e drejtorive komunale.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës, gjerë e gjatë është diskutuar Rregullorja për këmbimin e pasurisë së paluajtshme të komunës përmes ndërtimit dhe përdorimit të bonusit. Drejtori i Urbanizimit, Lulzim Aliu, ka thënë kjo rregullore përmban përmirësimet e nevojshme që janë në harmoni me debatin e bërë me qytetarët dhe grupet e interesit publik, ndërsa synim kryesor i saj është trajtimi i drejte i pronës së komunës në të cilin janë ndërtuar banesat kolektive që tash janë të privatizuar.
“Kjo rregullore propozon mënyrën më të lehtë të zgjidhjes së këtij problemi i cili nuk është zgjidhur që nga paslufta. Poashtu përmes kësaj rregulloreje caktohet saktë mënyra e këmbimit të pronës private me të drejtën e ndryshimit të kushteve ndërtimore e cila rezulton në interes të përgjithshëm publik”, është shprehur drejtori Aliu.
Pavarësisht shumë diskutimeve kjo rregullore nuk morri votat e mjaftueshme nga ana e anëtareve te Kuvendit të Komunës.
Drejtorja e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, para anëtarëve të Kuvendit të Komunës ka bërë propozim-vendimi për harmonizimin e investimeve kapitale dhe transferin në kategorinë ekonomike dhe shpenzimet kapitale.
Anëtarë të Komisionit për ndarjen e bursave nga ana e kuvendin u caktuan, Flora Abdullahu nga Partia Demokratike e Kosovës si dhe Hysnije Mustafa-Shamolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërkaq nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, ka bërë propozim-vendimin për shpërndarjen e druve të zjarrit për familjet skamnore. Sipas tij, është një sasi prej 200 metrave hapësinor të cilat janë konfiskuar nga Drejtoria e Bujqësisë-Njësia e Pylltarisë në Ferizaj.
Drejtorja e Administratës së Përgjithshme Aurora Ramadani, ka propozuar për miratim Kodin e Etikës si dhe Rregulloren për organizimi, funksionimi dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në Komunën e Ferizajt, të dyja këto pika edhe u miratuan.
Në këtë mbledhje u aprovua edhe Rregullorja për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijëve.
U diskutuan edhe disa propozim-vendime për rishqyrtim, nga ana e drejtorit të Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, të cilat në mënyrë unanime u votuan nga antarët e kuvendit.
Në këtë mbledhje drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, ka propozuar edhe formimin e komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës. Në këtë komision do të jenë dy anëtarët të propozuar nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu, dy anëtarë nga Kuvendi i Komunës nga radhët e subjekteve të ndryshme politike si dhe një anëtarë nga sektori jo qeveritar lokal.
Dritën jeshile në këtë mbledhje morri edhe propozim-vendimi për zëvendësimin e një anëtari nga komiteti për kategoritë e dala nga lufta e UCK-së, në vend të Kadri isalmi u vendos që në këtë komitet të jetë Saqip Rexhepi nga Shoqata e Familjeve të Dëshmoëve
Poashtu kaloi edhe propozim-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm të pjesës së ngastrës kadastarle 1781-0 zona kadastrale në Pleshinë.