Republika e Kosoves

Ferizaj

Qytetaret në rend të parë në shëndetësinë ferizajase

2016/10/03 - 12:00

Sipas drejtorit  të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në Ferizaj, Burim Karametës, shëndetësia ferizajase po vepron me të gjitha kapacitetet,  vetëm e vetëm që qytetarëve ferizajas t’ju ofrohen shërbime shumë cilësore.

“Jemi duke punuar akoma më shumë,  kemi ngritur ofrimin e shërbimeve tona shëndetësore ndaj të gjithë pacienteve tanë që kanë kërkuar shërbime. Kemi funksionalizuar  me kapacitete të plota  qendrën e mjekësisë familjare numër gjashtë që ndodhet në fshatin Zaskok, kemi digjitalizuar mamomatin ku është njëra prej preventivave që ne e kemi si aset. Gjithashtu për me tepër se një muaj në Ferizaj,  do të qëndroj edhe mamografi mobil, kamioni është lëvizës që e ka aparaturën më të nevojshme që të marrin ekzaminimin edhe aty”, ka thënë drejtori Karameta.

Numri një i shëndetësisë ferizajase Burim Karameta, në konferencën e sotme për gazetarë,  tha se në bazë të takimeve që zhvillohen në nivel të Kosovës, QKMF-ja e Ferizajt, mbetet e para në ofrim të shërbimeve shëndetësore.

“Në takimet që kemi pasur edhe me ministrin e shëndetësisë për nga kujdesi parantal dhe ai mobil i vizitave shtëpiake, të jeni të bindur se shëndetësia ferizajase, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare  qëndron e parë sa i përket ofrimit të këtyre shërbimeve”, tha ai.

Po brengosëse mbetet fakti që fëmijët e shkollave fillore të Komunës së Ferizajt, ku mbi 90 për qind e tyre kanë karies në dhëmbët e tyre. Por pavarësisht kësaj tashmë janë marr edhe preventivat e parë për mbrojtjen e dhëmbëve të fëmijëve të shkollave tona.
“Në javën e kaluar nga hulumtimet  që janë bërë nga departamenti i stomatologjisë me fëmijët  e shkollave fillore ka dal që nuk jemi më keq  se sa qytete tjera të Kosovës, mirëpo kanë dal disa të dhëna ku  rreth 90 për qind të fëmijëve tanë kanë një karies në dhembet e tyre,   dhe atë mesatarisht 2 deri në 3 dhëmbë. Ne kemi marr të gjitha masat e nevojshme dhe tani kemi vendosur edhe ordinanca stomatologjike nëpër shkollat e qytetit si në shkollën  “Gjon Serreçi”, në shkollën “Tefik Çanga” dhe në shkollën “Ahmet Hoxha” dhe një në shkollën “Ramadan Rexhepi”.

U bë e ditur se gjatë gjithë kohës edhe sektori i mirëqenies sociale po merret me ofrimin e shërbimeve të ndryshme për të gjithë personat që kanë nevojë.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj, prin me ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët ferizajas.