2024/06/21 - 6:34
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren, Jehona Lushaku – Sadriu kanë vizituar dy nga shkollat e kryeqytetit, sh.f.m.u “Xhemajl Mustafa” dhe sh.f.m.u ” Qamil Batalli”, ku janë vendosur tabela digjitale për mësim.
Me këtë rast kryetari Rama ka bërë të ditur se ka filluar procesi i dixhitalizimit të shkollave në kryeqytet. Sot, nëpër shkollat e Prishtinës, janë shpërndarë 175 tabela të mençura.
Rama ka theksuar se premtimi për dixhitalizimin e shkollave tashmë po bëhet realitet. Ai ka deklaruar se këto tabela do të lehtësojnë dhe modernizojnë mësimdhënien për fëmijët dhe arsimtarët.
“Premtimi ynë për dixhitalizim të shkollave tani është realitet. Bashkë me Nënkryetaren dhe Drejtoren për Arsim, Dr. Jehona Lushaku Sadriu, shpërndamë 175 tabela të mençura në shkollat tona. Këto tabela do ta lehtësojnë dhe modernizojnë mësimdhënien për fëmijët tanë dhe arsimtarët që të jenë në hap me kohën. Do të vazhdojmë punën pandërprerë për ngritje të cilësisë dhe kushteve më të mira në shkolla të Kryeqytetit,” ka thënë Rama.
Nënkryetarja e Kryeqytetit, Dr. Jehona Lushaku Sadriu, ka shtuar: “Takuam fëmijë të gëzuar për mundësitë e reja. Mësues të ngazëllyer për mundësimin e ligjërimeve interaktive me vizualizim në tabela digjitale. Një mënyrë krejtësisht inovative e të zhvilluarit të mësuarit.”
Kjo iniciativë përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës arsimore dhe avancimit të metodave të mësimdhënies në Prishtinë.