Kuvendi i Komunës e miraton Statutin. Kuvendi i Komunës mund ta ndryshojë Statutin, nëse konsideron se një ndryshim i tillë është i nevojshëm. Çdo vendim për miratimin apo për ndryshimin e Statutit, duhet të miratohet nga 2/3 e anëtarëve të Kuvendit.
Kuvendi i Komunës e miraton Rregulloren e punës.
Nisma për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit, mund të merret: (i) nga Kryetari i Komunës, (ii) nga 1/3 e anëtarëve të Kuvendit të Komunës dhe (iii) me iniciativën e 10 % të banorëve me të drejtë vote në komunë.
Propozimi për ndryshim dhe plotësim duhet të shqyrtohet nga ana e Komitetit për Politikë dhe Financa, pastaj i dërgohet Kuvendit të Komunës për shqyrtim preliminar. Nëse Kuvendi nuk e refuzon propozimin, atëherë Kuvendi merr vendim për ta lëshuar në diskutim publik.
Pas përfundimit të diskutimit publik, Kuvendi i Komunës vendos se a do t’i miratojë ndryshimet dhe plotësimet, pasi t’i shqyrtojë të gjitha propozimet që i ka pranuar.
Rregullorja e punës mund të përcaktojë më tej procedurat për plotësimin e Statutit.
Procedurat për miratimin, ndryshimin apo anulimin e rregulloreve komunale, duhet të jenë si në vijim:
a) Kryetari i Komunës, në pajtim me LVL – në dhe me këtë Statut, propozon miratimin e rregulloreve komunale lidhur me çështjet në suaza të autorizimeve komunale, siç ësht paraparë me LVL – në, dhe ia dërgon për shqyrtim kryesuesit të Kuvendit si kryesues i
Komitetit për Politikë dhe Financa.
b) Miratimin e një rregulloreje komunale mund ta propozojnë së paku shtatë anëtarë të Kuvendit. Propozimet e tilla duhet adresuar kryesuesit të Kuvendit, i cili duhet ta përfshijë si pikë të rendit të ditës për shqyrtim në mbledhjet e radhës të komiteteve përkatëse komunale.
Pas shqyrtimit nga komitetet përkatëse komunale, kryesuesi duhet t’i përcjellë propozimet Komitetit për Politikë dhe Financa, i cili do të shqyrtojë dhe propozojë atë, me apo pa ndryshime, për t’u miratuar nga Kuvendi i Komunës.
c) Kuvendi i Komunës do ta shqyrtojë projektin e rregullores së propozuar dhe, me ose pa plotësime, do ta miratojë atë për diskutim publik në pajtim me rregullat e punës së Kuvendit.
d) Të gjitha vërejtjet e pranuara nga opinioni publik duhet të shqyrtohen nga komisioni icaktuar nga propozuesi i rregullores. Komisioni duhet të përgatisë një raport me vërejtjet e pranuara, i cili duhet t’i dorëzohet për miratim Komitetit për Politikë dhe Financa dhe Kuvendit të Komunës.
e) Rregullorja e Komunës, e miratuar nga Kuvendi i Komunës, publikohet në tabelën e shpalljeve në ndërtesat e Kuvendit të Komunës, si dhe në ueb – faqen e Komunës.
PËRGJEGJËSITË E KUVENDIT TË KOMUNËS
Kuvendi i Komunës ka përgjegjësi për fushat në vijim:
a) Miratimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e Statutit, Rregullores së punës dhe rregulloreve komunale,
b) Miratimin e buxhetit dhe të planeve investuese;
c) Miratimin e çështjeve të tjera financiare, të cilat janë të rezervuara për Kuvendin, sipas Statutit apo Rregullores së punës;
d) Raportin vjetor;
e) Themelimin e komisioneve të kërkuara sipas Ligjit;
f) Zgjedhja e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të Kuvendit të Komunës për komunitete dhe nënkryetarit për komunitete;
g) Nivelin e taksave, tarifave dhe gjobave komunale;
h) Krijimin dhe përdorimin e simboleve, dekoratave dhe titujve të nderit të Komunës, në pajtim me ligjin në fuqi;
i) Emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve të tjera publike;
j) Arritjen dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkomunale dhe brendakomunale;
k) Marrjen e vendimeve për t’u bashkuar me asociacione përfaqësuese të komunave të Republikës së Kosovës dhe përgjegjësi të tjera që kërkohen me ligj.
Si shtesë në listën e përgjegjësive të padelegueshme të marra nga LVL – ja, e cila paraqitet më lart, çështjet në vijim mbeten në kompetencë të Kuvendit të Komunës dhe nuk mund të delegohen:
a) Vendimet që kanë të bëjnë me pronën e Komunës.
b) Miratimi i :
– Planit zhvillimor komunal (PZHK),
– Planit zhvillimor urban (PZHU),
– Planit rregullues urban (PRRU), dhe ndryshimi i tyre.