2024/06/24 - 4:46
Pas reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë pasdites të së dielës, kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, bashkë me drejtorin e Drejtorisë për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica, drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, drejtorin e Drejtorisë për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave, Krenar Xhaferi kanë dalë në terren për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë në pikat kyçe me qëllim të evitimit të dëmeve në raste të ngjashme. Kryetari ka bërë të ditur se, pas konsultimeve me institucionet përkatëse, është krijuar shtabi i krizës për menaxhimin e situatës në ditët në vijim, duke marrë parasysh parashikimet për reshje të ngjashme.
Në bashkëpunim me zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, kanë ndërhyrë në 100 raste të lajmëruara nga qytetarët. Kryetari Rama lut qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites së 24 qershorit, ditë e hënë, dhe sugjeron që institucionet publike dhe private të lirojnë punëtorët më herët nga puna për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites, meqë parashihen shira me intensitet të lartë sikur të dielën e 23 qershorit.
“Siguria e të gjithëve është prioriteti ynë kryesor prandaj jemi në terren në çdo kohë!” – ka deklaruar Kryetari Rama.
Për çdo problem, qytetarët janë të lutur të telefonojnë në numrat kujdestarë pa pagesë 080012233 dhe 080012244.