Republika e Kosoves

Prishtinë

Shënohet Dita Botërore e Autizmit në Kryeqytet

2024/04/02 - 5:43

Me një marsh vetëdijësues është shënuar Dita Botërore e Autizmit në Prishtinë i organizuar nga Shoqata “Autizmi” dhe Drejtoria e Mirëqenies Sociale.
Në marshin vetëdijësues morën pjesë Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, nënkryetarja Jehona Lushaku, drejtorja e Mirëqenies Sociale, Adelinë Sahitit dhe drejtori i shëndetësisë, Izet Sadiku.
Kryetari Rama ka shprehur thellë respektin dhe mirënjohjen për komunitetin autik.
“Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Autizmit, po bashkohemi si një qytet që pulson me energjinë e gjithëpërfshirjes. Sot, e gjithë Prishtina është një gjendje e vetme shpirtërore, që përqafon spektrin e bukur të përvojës njerëzore, e që lulëzon nga neuro-diversiteti i saj!”- ka deklaruar Rama.
Marshimi ka pasqyruar solidaritetin dhe mbështetjen e qytetarëve për komunitetin autik, duke e vlerësuar bukurinë dhe kontributin e tyre në shoqëri.

Në një botë ku shpesh vlerësohet konformiteti, kryeqyteti ynë ka treguar se vlerëson dhe nderon diversitetin, duke përqafuar çdo individ për kontributin e tyre të veçantë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të përmbajtshme për të gjithë.